Bazuar në Ligjin nr. 08/L-175 për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe aktet e brendshme nënligjore, AMIK shpall:
KONKURS
Për punonjës/e të AMIK
Numri i referencës së konkursit: 01/26
Nivelet e pagave: Të klasifikuara
Orari i punës: I plotë
Kohëzgjatja e kontratës: E pacaktuar
Vendet e punës: AMIK
Konkursi shpallet në fushat:
- Mbështetje administrative e menaxhmentit
- Çështje juridike
- Administratë dhe shërbime të përgjithshme
- Siguri të sistemeve & Siguri Kibernetike
- Logjistikë dhe administrim të dokumenteve
- Teknologji informative
Kualifikimet dhe kriteret për pjesëmarrje në procesin e rekrutimit:
Kandidatët për fushën 1 duhet të kenë:
- së paku edukim të mesëm;
- preferohet përvojë pune në fushën përkatëse teknike/administrative;
- aftësi dhe njohuri të tjera që ndërlidhen me fushën përkatëse.
Kandidatët për fushën 2 duhet të kenë:
- kualifikim universitar: Fakulteti Juridik;
- së paku 3 vite përvojë pune profesionale në fushën përkatëse;
- trajnime në fushën përkatëse, si dhe aftësi dhe njohuri të tjera që ndërlidhen me fushën përkatëse.
Kandidatët për fushën 3 duhet të kenë:
- kualifikim universitar në drejtimet: ekonomi, juridik, shkenca politike apo administratë publike;
- së paku shtatë (7) vite përvojë pune profesionale, përfshirë së paku pesë (5) vite në pozitë drejtuese;
- trajnime në fushën përkatëse, si dhe aftësi dhe njohuri të avancuara që ndërlidhen me fushën përkatëse.
Kandidatët për fushën 4 duhet të kenë:
- kualifikim universitar në drejtimet: teknologji informative, inxhinieri kompjuterike, siguri kibernetike ose fusha të ngjashme;
- së paku tri (3) vite përvojë pune në fushën e sigurisë së informacionit, administrimit të rrjeteve ose sistemeve të klasifikuara;
- trajnime dhe njohuri të thella në fushën e Sigurisë Kibernetike, të dëshmuara me certifikatë përkatëse.
Kandidatët për fushën 5 duhet të kenë:
- së paku edukim të mesëm;
- preferohet përvojë pune në fushën përkatëse;
- aftësi dhe njohuri të tjera që ndërlidhen me fushën përkatëse.
Kandidatët për fushën 6 duhet të kenë:
- kualifikim universitar në drejtimet: shkenca kompjuterike dhe teknologji informative ose ekuivalente;
- së paku tri (3) vite përvojë pune profesionale në fushën e TI-së;
- njohuri të avancuara në fushën e TI-së, të dëshmuara me certifikatë përkatëse.
Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e përgjithshme për punësim në AMIK, si më poshtë:
- të jenë shtetas të Republikës së Kosovës;
- të jenë mbi moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare;
- të kenë kualifikimet e duhura arsimore dhe profesionale;
- ndaj tyre të mos jetë marrë masa përfundimtare e përjashtimit nga puna për shkak të kryerjes së shkeljes së rëndë disiplinore për dhënien e informacionit;
- të mos jenë të dënuar për vepër penale të kryer me dashje, me vendim të formës së prerë;
- kalimi me sukses i procedurave të rekrutimit.
Kandidatët për punësim do t’i nënshtrohen ekzaminimit mjekësor, verifikimit të sigurisë, si dhe mund t’u nënshtrohen edhe kushteve të tjera specifike.
Të gjithë kandidatët të cilët deklarojnë të dhëna të pasakta ose të rrejshme, kurdo që ato zbulohen gjatë procesit të rekrutimit apo verifikimit të sigurisë, do të diskualifikohen.
Përveç kushteve të mësipërme, kandidatët duhet të plotësojnë edhe standardet strikte të sigurisë të parapara në Ligjin nr. 08/L-175 për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.
Procedura e përzgjedhjes:
Procesi i brendshëm i përzgjedhjes është i klasifikuar dhe përbëhet nga disa faza të selektimit dhe testimit. Kandidatët mund të aplikojnë maksimumi në dy fusha të ndryshme të publikuara. Përzgjedhja e kandidatëve për pozitat e mësipërme bëhet bazuar në kriteret dhe kushtet e përgjithshme të përshkruara në konkurs, si dhe kriteret dhe kualifikimet e tjera specifike të përcaktuara me akte të brendshme.
Kohëzgjatja e punësimit:
Punësimi në AMIK është me afat të pacaktuar, pas përfundimit me sukses të periudhës provuese, bazuar në Ligjin nr. 08/L-175 për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, rregullat dhe procedurat e brendshme.
Procedura e aplikimit:
Dokumentacioni për aplikim duhet të përmbajë:
- Formularin zyrtar të aplikimit (Aplikacionin);
- Kopjet e dëshmive për përfundim të studimeve të lëshuara nga institucionet arsimore (për kandidatët që kanë përfunduar shkollimin jashtë vendit, diploma duhet të jetë e nostrifikuar);
- Certifikatat e trajnimeve apo formave të tjera të aftësimit profesional (nëse kanë);
- Dëshmi për përvojën e punës dhe kualifikimet e tjera (kopjet e kontratave ose vërtetimeve nga punëdhënësi ose dokumente të tjera relevante që shërbejnë për të dëshmuar pozitën e mbajtur dhe përvojën e punës);
- Jetëshkrimin – CV;
- Letër motivuese (pritjet nga vendi i punës dhe qëllimet e karrierës);
- Certifikatën e lindjes apo ekstraktin;
- Kopjen e letërnjoftimit/pasaportës (të jetë valide);
- Një fotografi të formatit 5×5 (jo më e vjetër se 6 muaj);
- Certifikatë mbi dënimet penale (e lëshuar nga Gjykata, jo më e vjetër se tre muaj);
- Vërtetim mbi të dhënat penale nga Policia e Kosovës.
Aplikacioni së bashku me dokumentet përcjellëse futen në zarf, mbyllen dhe dorëzohen në kopje fizike personalisht, në objektin e AMIK, në adresën: Kompleksi Qeveritar “Prishtina e Re”, rr. “Nekibe Kelmendi”, Prishtinë.
Format e tjera të aplikimit nuk do të merren parasysh.
Aplikimi duhet të bëhet për secilën fushë ndaras, në rast se kandidati aplikon në dy pozicione të ndryshme.
Aplikacionet e pakompletuara dhe ato të pranuara pas afatit nuk merren në shqyrtim.
Formulari zyrtar i aplikimit plotësohet në mënyrë elektronike përmes linkut më poshtë. Pas plotësimit, formulari duhet të printohet dhe të dorëzohet në kopje fizike së bashku me dokumentacionin tjetër të kërkuar, në përputhje me procedurën e aplikimit të përcaktuar në këtë konkurs.
Data e mbylljes së konkursit:
Konkursi do të jetë i hapur pesëmbëdhjetë (15) ditë kalendarike nga data e publikimit në mjete të informimit, përkatësisht nga data 19.08.2026 deri më 02.09.2026, nga ora 08:00 deri në 16:00.
Aplikacionet e dorëzuara pas afatit të përcaktuar më lart nuk pranohen, kurse aplikacionet e mangëta/të pakompletuara refuzohen.
Vetëm kandidatët që i plotësojnë kushtet e përcaktuara në konkurs dhe aktet e brendshme do të ftohen për të marrë pjesë në procedurat e rekrutimit.
Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar ofron mundësi të barabarta për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe mirëpret aplikacionet nga të gjithë personat e interesuar.
Aplikimi dhe të gjitha të dhënat lidhur me të duhet të mbahen konfidenciale.
