Takimi i 16-të i drejtuesve të Autoriteteve Kombëtare të Sigurisë të Evropës Juglindore në Prishtinë

Më 2–4 shtator 2026, në Prishtinë u mbajt takimi i 16-të i drejtuesve të Autoriteteve Kombëtare të Sigurisë të Evropës Juglindore (SENSA), i organizuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK), në koordinim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Takimi mblodhi drejtues dhe përfaqësues të autoriteteve të sigurisë nga rajoni, me qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave e praktikave për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar në sistemin e drejtësisë.

Diskutimet u përqendruan në trajtimin dhe deklasifikimin e informacionit të klasifikuar, qasjen në materiale të ndjeshme, si dhe shqyrtimin e vendimeve lidhur me pajisjen me certifikatë të sigurisë. Në këtë kuadër, u trajtua edhe ruajtja e ekuilibrit ndërmjet kërkesave për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, pavarësisë së gjyqësorit dhe garancive për gjykim të drejtë.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të sigurisë dhe institucioneve gjyqësore e prokuroriale, duke theksuar rëndësinë e procedurave të qarta, trajnimit të personelit dhe koordinimit të rregullt institucional. Gjithashtu, u diskutuan mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të rrjetit SENSA dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal në këtë fushë.