Kosova miraton nismat për marrëveshje të sigurisë me Slloveninë, Kroacinë dhe Hungarinë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar nismat për lidhjen e marrëveshjeve të përgjithshme të sigurisë me Republikën e Sllovenisë, Republikën e Kroacisë dhe Republikën e Hungarisë. Këto marrëveshje synojnë shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar dhe thellimin e bashkëpunimit institucional ndërkombëtar në fushën e sigurisë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ku u miratuan nismat për këto marrëveshje, theksoi rëndësinë e tyre strategjike për sigurinë kombëtare dhe integrimin euroatlantik të vendit.

Këto zhvillime janë fryt i përkushtimit dhe punës së vazhdueshme të Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK), e cila gjatë muajit shtator 2024 mori pjesë në Takimin Plenar të rrjetit ndërkombëtar MISWG (Multinational Industrial Security Working Group), mbajtur për herë të parë në Shqipëri.

Me ftesë të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar të Shqipërisë (AKSIK), delegacioni i Kosovës i kryesuar nga Drejtori i AMIK, z. Emin Hoxhaj, ishte pjesë aktive e këtij takimi që mblodhi përfaqësues nga 38 shtete dhe 5 struktura të BE-së dhe NATO-s.

Gjatë këtij forumi ndërkombëtar, delegacioni i Kosovës pati mundësinë të forcojë marrëdhëniet me autoritetet homologe për siguri kombëtare (NSA – National Security Authority) të shteteve pjesëmarrëse. Përmes prezantimeve dhe takimeve bilaterale, u promovuan vlerat dhe kapacitetet profesionale të AMIK, si dhe u shkëmbyen përvoja me qëllim harmonizimin e qasjeve dhe thellimin e bashkëpunimit. Këto takime shërbyen si pikënisje konkrete për inicimin e marrëveshjeve për sigurinë e informacionit të klasifikuar me Slloveninë, Kroacinë dhe Hungarinë.

Agjencia AMIK mbetet e përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve të sigurta dhe të qëndrueshme, duke rritur besueshmërinë dhe integritetin institucional në menaxhimin e informacionit të klasifikuar, si dhe duke kontribuar në agjendën e integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës.